5 DILEMA MBI FITNESIN QË DUHEN SHPJEGUAR.

Përpara se të nisni rrugëtimin tuaj drejt një jetese më të shëndetshme dhe aktive përmes fitnesit, është e rëndësishme të jeni të qartë mbi atë se çfarë duhet të bëni për të pasur rezultate efektive. Le të shqyrtojmë së bashku disa dilema, pyetje, paqartësi mbi tematikat e mëposhtme.

Ushtrime kardio apo ushtrime me pesha?

Një nga dilemat më të zakonshme që shumica prej jush githmonë ka sapo nis palestërn në Puma Fit Club lidhet me zgjedhjen mes stërvitjes kardio dhe asaj me pesha. Dhe përgjigja jonë është: të dyja. Idealja do të ishte një miks i të dy elementeve. Kardio për të djegur kaloritë e panevojshme dhe shëndetin e zemrës ndërsa përdorimi i peshave për të gdhendur një trup rezistent e të shëndetshëm.

Stretching para apo pas stërvitjes?

Kjo është një pyetje që ende sot ka përgjigje kundërshtuese, që nuk përputhen me njëra-tjetrën. Kjo ndodh sepse ka dy tipologji stretching, statik dhe dinamik.

Stretching-u statik, këshillohet pas stërvitjes dhe përfshin zgjatjen e një muskuli deri në pikën e tij më të largët dhe duke e mbajtur atë pozicion. Kjo rrit fleksibilitetin, përmirëson lëvizjen dhe relakson trupin. 

Stretching-u dinamik nga ana tjetër bëhet përpara se të nisni stërvitjen. Përfshin lëvizje aktive, që ngrohin nyjet dhe muskujt në mënyrë që të parandalohen dëmtimet. Në këtë mënyrë trupi juaj do të jetë gati për aktivitet fizik më intensiv. 

A është teprica e proteinave e dëmshme për trupin e njeriut?

Në botën e fitness-it proteinat janë thelbësore për krijimin dhe riparimin e muskujve, por disa persona e kanë të vështirë të përcaktojnë sasinë e duhur. Arsyeja është se kanë frikë nga mbingarkesa e proteinave, duke e lidhur atë me problemet e veshkave, ndërsa të tjerë konsumojnë sasi të mëdha për të pasur më shumë fuqi. Çelësi qëndron tek moderimi. Konsultohuni gjithmonë me një dietolog ose profesionist fitnesi për të përcaktuar proteinat e nevojshme për ju. Ata do t’ju këshillojnë sasinë e duhur duke u bazuar në faktorë të tillë si mosha  dhe niveli i aktivitetit fizik që ju kryeni.

Të humb peshë dhe të shtoj muskujt njëkohësisht? Është e mundur?

Secili nga ju e nis të stërvitet për një apo disa qëllime të caktuar. Nëse dëshironi të hiqni peshën e padëshiruar dhe të bëni muskuj në të njëjtën kohë, ndonëse mund të duket kontradiktore, është e mundur. Një dietë e ekuilibruar, e shoqëruar me një kombinim të ushtrimeve kardiovaskulare dhe stërvitjes me pesha është çelësi për arritjen e këtyre qëllimeve në të njëjtën kohë.

HIIT apo Kardio, cila ka më shumë efekt?

Trajnimi me intervale dhe intensitet të lartë (HIIT) ka fituar popullaritet për efikasitetin e tij në një kohë të shkurtër, ku përfitimi kryesor është djegia e kalorive. Megjithatë, debati lind në lidhje me efektin e tij superior mbi kardio-n. Sërish hyjnë në lojë preferencat personale, objektivat dhe gjendja trupore. Ushtrimet (HIIT) rrisin qëndrueshmërinë ndërsa kardio është e dobishme si për djegien e kalorive ashtu dhe për përmirësimin e shëndetit kardiovaskular.

Shpresojmë të kemi qartësuar disa pyetje apo dilema që mund t’ju kenë lindur mbi fitnesin. Ajo që mësojmë më së shumti është se preferencat individuale, synimet specifike dhe kushtet shëndetësore luajnë rolin kryesor. Konsultohuni me profesionistë dhe nutricionistët e specializuar për të krijuar një plan stërvitje të përshtatshëm për ju.