Një nga pyetjet që bëhet zakonisht përpara nisjes së agjërimit është: “A mund të vazhdoj të stërvitem gjatë kësaj periudhe? Si duhet të jetë rutina ime dhe oraret e stërvitjes?
Po. Ju mund të stërviteni apo të shkoni në palestër gjatë muajit të Ramazanit, normalisht me disa ndryshime të vogla për të shmangur lodhjen dhe dehidratimin. Është e rëndësishme të dini se kjo nuk është koha për të shtyrë veten përtej limiteve.
Është e ditur që një nga sfidat kryesore është mbajtja e një rutine të rregullt stërvitje, për shkak të ndryshimit të orareve të gjumit. Prandaj, mos ngurroni të bëheni fleksibël dhe t’i jepini përparësi pushimit, përpara stërvitjes në palestër.
Mendojeni këtë muaj si një periudhë ideale për të qëndruar në formë, përmes kryerjes së ushtrimeve pak më të lehta, sa për të mbajtur trupin në lëvizje.
Çfarë mund të ndryshoni konkretisht tek rutina juaj e stërvitjes?
Gjatë javës së parë të agjërimit, zvogëloni intensitetin dhe shpeshtësinë e stërvitjeve tuaja që t’i lini kohë trupit të përshtatet me rutinën e re.
- Gjeni një orar të përshtatshëm për ju. Nëse e shihni të arsyeshme, ushtrohuni pasdite, pak para Iftarit apo Syfyrit, në mënyrë që të hidratoheni dhe ushqeheni menjëherë pas palestrës. Të tjerë preferojnë të ushtrohen pas këtyre vakteve në mënyrë që të kenë energjinë e duhur për të përballuar stërvitjen.
- Zvogëloni intensitetin e seancave stërvitore duke u fokusuar tek ngritja e peshave të lehta, ecja apo stretching-u. Hiqni dorë nga HIIT, Cardio apo peshat e rënda. Do keni kohë përsëri muajin e ardhshëm për t’i kryer ato.
- Për sa i përket hidratimit dhe ushqyerjes, pini ujë rregullisht mes Iftarit dhe Syfyrit dhe konsumoni ushqime që kanë përmbajtje të lartë uji, fibrash dhe proteinash si: orizi, tërshëra, patatet, frutat dhe perimet, vezët, peshku, fasule, kos etj.
Ky është një muaj reflektimi, rritje shpirtërore por dhe i vetëdisiplinës. Është koha e duhur t’i jepni përparësi pushimit dhe hidratimit, pa hequr dorë nga rutina juaj e stërvitjes.